Autore : Denada Kola (Jushi)
![](https://i0.wp.com/rekruto.al/wp-content/uploads/2023/09/milannnn.jpg?resize=1024%2C256&ssl=1)
Imazhi prej kohësh ka tërhequr më shumë vëmendje se gjithçka tjetër, duke kthyer imazhologët si njerëzit të cilët po orientojnë shumëçka. Milan Kundera në romanin e tij, “Pavdekësia”, shpjegon në mënyrë brilante ndikimin e imazhologëve në jetën e gjithësecilit prej nesh.
Në një shembull të thjeshtë e krejt të shkurtër sa për t’u patur zili, Kundera shpjegon se si në kohë më të hershme, paraardhësit tanë e kishin të kontrollueshëm realitetin e tyre. Informacioni përcillej prej takimeve mes tyre dhe historia e fshatit dihej prej secilit banor sepse ata jetonin aty prej dekadash.
Duke marrë Francën si shembull, ku është paraprirë edhe fuqia e imazhit edhe debati për pasojat e mbështetjes vetëm te imazhi, kuptohet lehtësisht se burimet e informimit janë mediat. Kështu, në një kanal televiziv ku shpjegohej se Franca ishte një nga vendet me të sigurta në botë, por në rrugën ku jeton shikuesi( personazhi) atë javë kishin ndodhur tre bastisje shtëpie. Por ‘lajmet për sigurinë” e kanë kthyer në indiferent personazhin…
Lajmet, gazetat( portalet), dhe e gjithë media në tërësi, është forma sot e përdorimit më me lehtësi për të manipuluar masat. Shikuesi, dëgjuesi, lexuesi është i predispozuar më shumë t’i gëzohet lajmit për sigurinë që dëgjon në mbrëmje se sa të informohet për çfarë ndodh pernjimend rreth tij, apo aq më pak të analizojë ato që i servirën.
Por a pyesim ne: çfarë bëjnë imagologët? Si ndikojnë ata?
Imagologët janë njerëzit që politikbërësit zgjedhin që t’i mësojnë se si duhet sillen në publik, çfarë duhet të thonë e mbi të gjitha çfarë imazhi duhet të krijojnë te shikuesi/votuesi. Kështu imagologët pasi kalojnë etapën e parë, të dhënies së një realiteti parë vetëm nga ata, nisin edhe të ndikojnë në mënyrën se si njerësit duhet ta shohin atë që ata paraqesin. Kjo me pretekstin se, është masa, audienca, që kërkon këtë qasje. Kështu imagologu ndikon që media të përzgjedhë atë që atij i përshtatet nga sjellja e politikanit, duke sjellë realitetin ku shikuesit i sygjerohet të mendojë sipas asaj që ka parë dhe dëgjuar.
Thënë ndryshe, nuk ka rëndesi aspak sot se si një politikan apo figurë publike është në të vërtetë, por ka rëndësi imazhi që përçohet për të. Me bombardimin e vazhdueshëm të imazhit pa kontekst, të asaj që shikohet dhe nuk dëgjohet, masat kanë rezultuar lehtësisht të manipulueshme. Lehtësia për të mos menduar, analizuar, kontrolluar informacionin që na serviret ka bërë që personazhet populiste të jenë sot modeli më i preferuar jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë.
Shoqëria sot merr të mirëqenë gjithçka që imagologët servirin. E asaj që ata imponojnë veç në të thënurit ( në të shumtën e rasteve) e jo në të bërit ( veprimit).
Dikur imagologjia ishte jo kaq e dukshme, nuk mburrej, nuk adhurohej, por përdorej dhe si e tillë duhej të mbetej e fshehtë. Sot imagologjia, dhe për pasojë imagologët, sa vijnë dhe ngrihen në piedestale, adhurohen dhe merren si shembuj thuajse në çdo fushë. Sot imazhi ( i servirur i gatshëm) vlen më shumë se çdo e vërtetë e parë me sytë e dëgjuar me veshët tanë.
Por sa nga qytetarët që ndjekin vetëm mediat, gazetat e portalet, mund të arrijnë të kuptojnë se ky realitet në të cilin jetojmë nuk përkon shpesh me realitetin që na serviret nga imazhologët?
Kjo është një pyetje që vlen të shtrohet sidomos në shkolla, pasi mund të kemi një brez, që nuk do arrijë të ketë asnjë kontakt me realitetin. Për pasojë, analfabetizimit funksional mund t’i shtohet me shpejtësi dhe analfabetizimi emocional, pasi njerëzit do marrin të mirëqenë vetëm atë që do u thuhet.