Pse u zgjodh pikërisht Oppenheimer për të krijuar bombën atomike? (nga pikëpamja ime si rekrutuese)

Historia e njerëzimit pa ekzagjerim mund të ndahet në dy pjesë: Përpara krijimit të bombës atomike dhe mbas. Aq e rëndesishme është krijimi i saj, sa ndryshoi historinë e njerëzimit si kurrë me parë. Një reaksion nuklear që më përpara ndodhte vetëm në yje vigane, një energji që ka origjinën nga vetë struktura e universit. E gjithë kjo e bërë e mundur nga një person, Robert J. Oppenheimmer, fizikanti më i rëndësishëm deri më sot. Cdo luftë dhe paqe duke filluar nga dorëzimi i japonezëve në 1945, ka shenjën e tij. Ne tek rekruto.al që e kemi shumë të rëndësishme të marrim në punë njerëzit e saktë, na lind pyetja: Si zgjidhet një person të drejtojë një projekt që kushtoi mbi 24$ miliard dhe ka në dorë fatin e botës?

Robert J. Oppenheimer nuk ishte zgjedhja e parë. Pavarsisht se ai ishte brilant dhe ndihmoi në rritjen e fizikës kuantike CV-ja, matematika dhe karakteri i tij nuk konsideroheshin nga më të mirët. Ja si e përshkruanin kolegët e tij të aso kohe:

Ai nuk ka “Sitzfleich” – aftësia për të qëndruar ulur për orë të tëra dhe të punosh

Murray Gell-Mann, fizikant

Ai kurrë nuk shkruajti një studim të hollësishëm, ose të bënte nje llogaritje të gjatë. Durimin e kishte si ne shoferët në Tiranë… pothuajse fare

Idetë e tij janë shumë të mira, por llogaritjet e tij janë gjithmonë gabim

Wolfang Pauli, një nga pionierët e fizikës kuantike

Por Oppenheimer ishte fantastik me njerëzit. Ishte karismatik dhe një lider i lindur. Pikërisht këto dy pika do i shërbenin shumë. Aftësia e tij për të gjeneruar ide dhe aftësia e tij me njerëzit.

Gjenerali Groves u vendos në krye të projektit për krijimin e bombës atomike, dhe në një vendim që cuditi të gjithë institucionin ushtarak, zgjodhi Oppenheimer si drejtorin shkencor të “Los Alamos Laboratory”. Ushtria Amerikane ishte shumë e shqetësuar për këtë vendim sepse Oppenheimer nuk kishte një cmim Nobel. Shqetësimet ishin që shkencëtarët më të mirë në botë nuk do ta ndiqnin, pa prestigjin dhe aftësitë qe cmimi Nobel provonte. Gjithashtu ai nuk kishte pasur kurrë eksperiencë për të menaxhuar projekte kaq të mëdhaja dhe ishte fizikant teorik, pra pa përvojë praktike.

Ai ishte shumë jo praktik, nuk ja kishte idenë e pajisjeve që fizikantët përdornin

Isidor Rabi, fituesi i cmimit Nobel në 1944, për Oppenheimer

Sikur kjo mos të mjaftonte ai ishte shumë i ndërlidhur me partinë komuniste, dhe gruaja tij ishte pjesë e saj. Por gjenerali Groves, nuk donte t’ja dinte për këtë. Ai admironte ambicien që Oppenheimer kishte dhe njohuritë dhe aftësinë e tij në fusha të ndryshme. Ai mund të zgjidhte probleme jo vetëm në fizikë, por edhe në kimi, metalurgji, dhe inxhinieri. Ai e konsideronte atë “një gjeni të vërtetë”.

Oppenheimer mund të të flasi për cdo gjë, përvec sportit, aty nuk di asigjë

Gjenerali Groves

Si njerëz ato nuk mund të ishin më ndryshe, por Groves ishte i bindur që Oppenheimer do e krijonte bombën atomike përpara nazistëve. Gjenerali u konsiderua “një gjeni” vetëm për shkak të këtij vendimi nga Isidor Rabi, fituesi i cmimit Nobel në 1944.

Oppenheimer nuk ishte kandidati me CV-në më të mirë, nuk ishte as fizikanti më i mirë. Nuk ishte më i miri në asgjë por ai kishte njohuri mbi cdo gjë, aftësinë për të komunikuar me shkencëtarë të fushave të ndryshme, dhe jo vetëm ti kuptonte por të ndërtonte mbi punën e tyre dhe me aftësite e tij prej lideri ti motivonte për më tej. Ai kishte besim tek stafi i tij dhe delegonte punët pa mikromenaxhuar. Ishte mjeshtër i teknikës së karrotës dhe shkopit, dhe shumë i ndërgjegjshëm për pikat e tij të forta dhe të dobëta. Një mësim për në rekrutues që ti japim shansin dikujt që nuk i përmbush të gjitha kushtet që ne duam, por që ka ambicien dhe dëshirën për të arritur objektivat.